KRYEFAQJA » LAJME » KLSH, arrestim në Berat për tre doganierë dhe ish- kryetarin e doganës
berat, arrestime, ish-kreu doganes, tre donaniere, klsh

KLSH, arrestim në Berat për tre doganierë dhe ish- kryetarin e doganës

Me kërkesë të Prokurorisë së Beratit, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-kryetarin e Degës Doganore Berat dhe tre doganierë në detyrë, të dyshuar për veprën penale të “Kontrabandës nga punonjësit që lidhen me veprimtarinë doganore. Këta shtetas dyshohet se kanë favorizuar një subjekt privat për t’iu shmangur detyrimeve doganore në vlerën rreth 40 milionë lekë të reja, në disa praktika importi në vitin 2014. Prokuroria e Beratit e nisi hetimin në bazë të kallëzimit të Kontrolli të Lartë të Shtetit.

Nga hetimi i Prokurorisë rezultoi se ish-kryetari i degës Doganore dhe grupi i kontrollit kanë kryer veprime fiktive mbi subjektin “Center Shqiptare”, i cili kishte objekt importim dhe prodhim produkte letre. Nga kontrolli rutinor i realizuar mbi këtë subjekt, grupi i kontrollit i ka nxjerrë një detyrim doganor në vlerën 1.4 milionë lekë të reja. Pak kohë pas këtij kontrolli lokal, një grup kontrolli nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave realizoi një audit në Berat, ku shqyrtoi edhe praktikën e subjektit “Center Shqiptare”. Auditi i Drejtorisë së Përgjithshme përcaktoi se detyrimi doganor i këtij subjekti ishte disa herë më i lartë, rreth 140 milionë lekë të reja, dhe për këtë arsye kërkoi rivleresimin e situatës nga grupi i Doganës Berat, i cili kishte ushtruar kontrollin mbi këtë subjekt. Ky grup kontrolli ushtroi sërish kontroll dhe e nxorri detyrimin e subjektit privat rreth 4 milionë lekë të reja, pra sërish shumë herë më të vogël se sa ishte parashikuar nga auditi i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Pas këtij rivlerësimi, kryetari i degës Doganore Berat e regjistroi në sistemin e brendshëm se subjekti privat nuk kishte më detyrime. Deri në këtë fazë të hetimit, në bazë edhe të aktit të ekspertimit, Prokuroria e Beratit ka krijuar dyshime të arsyeshme se dëmi i shkaktuar shtetit për shkak të veprimeve të punonjësve të doganës Berat, llogaritet në vlerën e rreth 40 milione lekë të reja.