KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Kolumbi, kongresi ratifikon marrëveshjen e paqes me FARK
Kolumbi, kongresi ratifikon marrëveshjen e paqes me FARK

Kolumbi, kongresi ratifikon marrëveshjen e paqes me FARK

Kongresi kolumbian ka ratifikuar një marrëveshje paqeje me rebelët e FARK. Marrëveshja e re ka më shumë se 50 pika të ndryshuara nga pakti që u rrëzua me anë të referendumit popullor disa muaj më parë. Me 130 vota pro dhe asnjë kundër, dhoma e ulët e parlamentit në Kolumbi pranoi unanimisht marrëveshjen e dytë, vetëm disa ditë pasi drafti u mbështet edhe nga Senati. Presidenti i vendit, Huan Manuel Santos, i cili u shpall edhe fitues i Çmimit Nobel gjatë këtij viti pikërisht për shkak të përpjekjeve të tij për të arritur paqen me rebelët e FARK, u shpreh në një deklaratë për mediat se votimi është një hap mjaft thelbësor për t’i dhënë fund luftës gjysmë-shekullore. Megjithatë, pakti do të duhet të kalojë edhe disa peripeci të tjera që lidhen me gjykatën kushtetuese, e cila duhet të lejojë miratimin e marrëveshjes së dytë si dhe duhet të lejojë futjen në fuqi të një ligji amnistie për rebelët. Përplasjet mes forcave qeveritare dhe rebelëve të Farc kanë nisur afro 52 vite më parë, ndërkohë që gjatë këtij konflikti më shumë se 260.000 persona kanë humbur jetën. Gjetja e konsensusit mes qeverisë dhe opozitës është përshendetur edhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.