KRYEFAQJA » LAJME » Kombëtarja kuqezi ka humbur 3 vende në renditjen e FIFA-s

Kombëtarja kuqezi ka humbur 3 vende në renditjen e FIFA-s

Edhe pse e ka fituar ndeshjen e luajtur përgjatë dy ditëve në Shkodër me Maqedoninë, duke triumfuar 2-1 në Stadiumin e rindërtuar “Loro Boriçi”, Kombëtarja kuqezi ka humbur 3 vende në renditjen e FIFA-s për muajin shtator. Shqipëria ka zbritur nga vendi i 37-të, në atë të 40-tin, me 68 pikë dhe ndodhet midis Senegalit dhe Suedisë. Kjo zbritje ka ardhur për shkak se janë luajtur plot 87 ndeshje ndërkombëtare, nga të cilat 61 në kuadër të Eliminatoreve të Botërorit 2018 dhe 26 në kuadër të veprimtarive kontinentale. Ndërkohë, edhe pse ka luajtur vetëm dy ndeshje ndërkombëtare që nga njohja e saj e plotë nga FIFA  dhe UEFA, Kosova ishte skuadra e 5-të që kishte bërë hopin më të madh në renditje, duke kapërcyer plot 22 vende. Ajo është ngjitur nga vendi i 190-të në atë të 168-tin, duke fituar plot 22 vende falë barazimi 1-1 të marrë në Finlandë përballë përfaqësueses vendase në ndeshjen e parë të Eliminatoreve. Sa i përket pjesës tjetër të renditjes, Argjentina dhe Belgjika mbeten përkatësisht në vendin e parë dhe të dytë, Gjermania merr vendin e 3-të, duke u shkëmbyer kështu me Kolumbinë, që detyrohet të ndajë vendin e 4-t dhe të 5-të me pikë të barabarta me Brazilin. Ndërkohë që Spanja dhe Italia kanë mbetur jashtë 10-shes së parë, atë e plotësojnë Kili, Portugalia, Franca, Uruguaji dhe Uellsi.