KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Komentet për gratë, Donald Trump kërkon ndjesë
Trump: “Nëse do të zgjidhem president do të eliminoj 70 % të rregullave federale”

Komentet për gratë, Donald Trump kërkon ndjesë

Kandidati republikan për president Donald Trump kërkoi ndjesë pas bërjes publike të një videoje regjistruar në vitin 2005, ku ai tregon se si u afrohet grave për të kërkuar favore seksuale. Përmes një deklarate Trump shprehet: “Kam thënë dhe kam bërë gjëra për të cilat jam penduar. Çdo njeri që më njeh mua e di se këto fjalë nuk reflektojnë atë që unë jam. Bëra gabim dhe kërkoj falje”. Artikulli eshte botuar fillimisht në gazetën “Washington Post”, e cila siguroi videon me komentet denigruese të Trumpit rreth grave. Kur bëri komentet Trump ishte duke folur me gazetarin Billi Bush të emisionit televiziv “Ëkses Hollywood”, në një bisedë private, në prani të pak personave, në një autobus që po e çonte Trumpin në emisionin televiziv. Trump ndërkohë kishte mikrofonin në trup. Në regjistrim ai thotë: “Gratë e bukura më tërheqin menjëherë, si me magnet dhe filloj t’i puth. Nuk më pritet, i puth menjëherë”. Dhe më tej vazhdon: “Kur je i njohur, ato të lënë të bësh ç’të duash”. Trump vazhdon me komente të tjera vulgare se si u kërkon favore seksuale grave, duke folur në mënyrë shumë të hapur. Në deklaratën ku kërkon ndjesë Trump thotë se: “Ato ishin biseda private, që ndodhën shumë vite më parë. Bill Clinton më ka thënë gjëra shumë më të shëmtuara në fushën e golfit, që as nuk u afrohen këtyre që kam thënë unë”. Ngjarja ka bërë jehonë në median sociale, duke u kthyer në armën më të fuqishme që ka patur në dorë deri tani Partia Demokrate për të bindur gratë e pavendosura dhe votues të tjerë që të mbështesin Clinton. Reagime ka pasur edhe brenda radhëve të republikanëve. Kryetari i Dhomës së Parlamentit, Pol Rajan, tha se ajo që kishte dëgjuar i ngjallte neveri, ndërsa Xhon Mekejn pohoi se nuk kishte justifikim për komentet fyese të Trumpit. Për rivalen e tij Clinton, komentet janë të tmerrshme. “Nuk mund ta lejojmë këtë njeri të bëhet president”, shkruan ajo në Twitter. Çështja sipas miliarderit do të diskutohej edhe gjatë debatit të ardhshëm mes 2 kandidatëve që zhvillohet të dielën në Seint Ljuis.