KRYEFAQJA » LAJME » “Komisari i Hekurt” : Shpresoj tek policia shqiptare

“Komisari i Hekurt” : Shpresoj tek policia shqiptare

I etiketuar si “Komisari i Hekurt”, Edmond Koseni, fiton të drejtën e rikthimit në detyrë, një e drejtë e cila i ishte mohuar gjatë 16 viteve. “Gjatë gjithë seancave të gjyqit dolën fakte dhe dëshmi nga ana e policëve, doktorëve dhe atyre që kanë qenë prezent që unë kam qenë i pafajshëm dhe nuk kam qenë fare në vendgjarje” tha ai. I akuzuar për pengmarrje dhe torturë të një qytetari nga Elbasani, ish komisari i policisë së këtij qyteti problematik, shpjegon ngjarjen e asaj kohe. “Në atë kohë isha për një operacion të policisë në Gramsh. Atje ka patur një përplasje, makina e policisë ka dalë jashtë rrugës dhe ka ardhur një të dehur. Dhe unë u akuzova për torturë në bashkëpunim”.
Edhe pse nuk pranon ta deklarojë, se shkaku për largimin e tij nga drejtimi i policisë së këtij qyteti, ishte lufta pa kompromis ndaj krimit, Koseni ka vendosur ti rikthehet detyrës. Sipas tij krimi është sofistikuar, por rendi dhe qetësia mund të vendosen vetëm në sajë të një pune të mirë profesionistësh.”Kur u emërova unë drejtor i policisë në Elbasan, kriminaliteti ka qenë në shkallën më të lartë. Unë krijova një strukturë model shumë efektive, me specialistë të mirë dhe pata një parandalim total të krimit. Muajt e fundit nuk kishim thuajse asnjë vrasje” kujton ai. Edmond Koseni mendon se po të punohet fort, me specialistë të mirë dhe përkushtim, ne bëhemi një nga policitë më të mira të Europës.
Gjykata e Tiranës nxori urdhër ekzekutimin për kthimin në detyrë të Edmond Kosenit e bashkë me të të gradës kolonel i parë, status i cili është pezulluar që prej vitit 2005.