KRYEFAQJA » LAJME » Komisioneri Han në Kosovë, bashkon pozitën dhe opozitën
han

Komisioneri Han në Kosovë, bashkon pozitën dhe opozitën

Komisioneri i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Johanes Han, po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, ku që prej mëngjesit ka nisur takimet me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës. Fillimisht ai takon kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, pastaj përfaqësues të tjerë të institucioneve. Në mesditë ai do të ketë një takim me krerët e partive politike. Han, komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, është ai që ka thirrur takimin mes politikanëve të të dyja kampeve politike që kanë zhytur vendin në krizën më të thellë politike që njeh Kosova. Gjatë gjithë këtij mandati ata nuk janë ulur në një tryezë. Komisioneri Han ka ndërmjetësuar edhe krizën në Maqedoni ndërmjet pushtetit e opozitës, e cila çoi në dorëheqje kryeministrin Nikola Gruevski dhe i futi subjektet politike në negociata për zgjedhje të parakohshme. Megjithatë, kriza nuk mori zgjidhje finale, pasi jo të gjitha subjektet politike kanë rënë dakord për datën e zgjedhjeve dhe për reformat e ndërmarra para organizimit të tyre.