KRYEFAQJA » LAJME » Komisioni CEZ, Berisha përplaset me Ballën dhe braktis sallën
Komisioni CEZ, Berisha përplaset me Ballën dhe braktis sallën

Komisioni CEZ, Berisha përplaset me Ballën dhe braktis sallën

Mes toneve të larta, akuzave reciproke dhe fyerjeve, ish kryeministri Sali Berisha braktisi komisionin parlamentar që po heton aferën e privatizimit të kompanisë energjitike  OSSH nga kompania çeke ÇEZ, në kohën kur në pushtet ishte PD. Zoti Berisha ishte thirrur me këmbënguljen e kreut të komisionit Taulant Balla, i cili kishte kërcënuar se nëse ish kryeministri do të vazhdonte të mos paraqitej me gjithë kërkesat e vazhdueshme, do të sillej nga policia me forcë për të dhënë dëshmi.
Me ballafaqimin e tyre në sallë zoti Berisha dhe zoti Balla shkëmbyen polemika dhe akuza, mjaftë prej tyre të njohura prej kohësh për publikun. Zoti Berisha kërkoi largimin nga komisionit të zotit Balla, pasi sipas tij ai kishte konflikt interesi. Zoti Berisha e argumentoi kërkesën e tij me faktin se zoti Balla është përfshirë në disa procese gjyqësore me familjarët e tij. Por zoti Balla e hodhi poshtë pretendimin . Ai tha se është kreu i një komisioni hetimor parlamentar dhe jo gjyqtar. Megjithatë deputeti socialist nuk e fshehu se do të donte ta shihte ish kryeministrin si të pandehur për më shumë arsye.
Largimi i zotit Berisha nga salla u bë mes polemikave. Kreu i komisionit Balla tha se se ish kryeministri ka frikë të dëshmojë, por do të sillet me forcë. Ndërsa vetë zoti Berisha në deklaratat e tij jashtë sallës këmbënguli se kreu i komisionit ështe dënuar nga gjykata, por megjithatë ai tha se do të dëshmojë.
Afera OSHE – CEZ është një nga përplasjet më të forta mes maxhorancës së majtë dhe opozitës së djathtë vitet e fundit. Qeveria thotë se shteti ka humbur 414 milionë euro nga privatizimi i gabuar i OSSH, ndërsa opozita thotë se zgjidhja e dhënë nga qeveria Rama e konfliktit me CEZ ka çuar në humbjen e mbi 600 milionë eurove.