KRYEFAQJA » LAJME » Komisioni Europian publikoi paketën e Strategjisë së Zgjerimit të BE-së
Komisioni Europian publikoi paketën e Strategjisë së Zgjerimit të BE-së

Komisioni Europian publikoi paketën e Strategjisë së Zgjerimit të BE-së

Si çdo vjeshtë, deri më tani, Komisioni Europian publikoi paketën e Strategjisë së Zgjerimit të BE-së, e cila përmban raportet e veçanta të progresit për vendet e Ballkanit dhe Turqinë e ndër to, Shqipëria shënoi një histori suksesi me përparimin e arritur gjatë këtij viti. Për këtë arsye, por edhe për të treguar se kjo politikë e BE-së mbetet e rëndësishme edhe pas BREXIT, kolegji i komisionerëve vendosi t’i rekomandoje Këshillit të BE-së nisjen e bisedimeve të anëtarësimit, kur vendi të jap rezultate, në nivel të kënaqshëm, edhe për zbatimin, jo vetëm miratimin, e reformës në drejtësi. Kjo reformë është kryefjala e kriterit politik dhe raporti i progresit, me strategjinë e rishikuar të zgjerimit, liston qartazi se çfarë mbetet për t’u bërë nga vendi në fushat kyçe, përfshirë zgjedhjet parlamentare, deri në pranverë të 2018, kur publikohet raporti i radhës nga ekzekutivi europian.
Krahas zhvillimeve pozitive polike, dokumenti thotë se korrupsioni vijon të jetë “një problem serioz”, i përhapur, edhe në nivel të lartë, ndërsa në fushën e krimit të organizuar, mbeten shumë të ulta gjurmët e provave për ngrirjen e pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme.

Sundimi i ligjit dhe respektimi i të drejtave themelore janë parësore në Strategjinë e Zgjerimit, edhe për shkak të ndikimit të tyre në zhvillimin ekonomik të vendeve të përfshira në këtë proces. Shqipëria njeh përparime në kriterin ekonomik, por borxhi publik mbetet i lartë dhe mangësitë në sundimin e ligjit pengojnë investimet, sipas raportit.

Raporti i progresit vlerëson se Shqipëria vazhdon përafrimin e legjislacionit vendas me praktikën e rregullave europiane. Në shumë fusha të kapitujve negociues, vendi njeh “nivel të moderuar” të përgatitjes, si kontrolli financiar, ose “njëfarë niveli”, përfshirë statistikat dhe prokurimin publik, por Tiranës i kërkohet të veprojë menjëherë ndaj numrit të lartë të azilkërkuesve shqiptarë në vendet europiane të marrëveshjes Shengen.

Rekomandimi i Komisionit Europian për Shqipërinë merr fuqi vetëm pasi të miratohet nga Këshilli i BE-së, me shumë gjasë pas mesit të 2018-tës. Për të 8-in vit radhazi, KE përsëriti rekomandimin për nisjen e negociatave me Maqedoninë, që kushtëzohet kësaj radhe me mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme parlamentare. Nga të gjitha vendet e Ballkanit e Turqia, në përgjithësi, kërkohen më shumë përpjekje në sundimin e ligjit, gjyqësorin, luftën ndaj korrupsionit, krimit e papunësisë, në menaxhimin e financave publike, sidomos të borxhit (publik), pavarësia e medias dhe respektimi i të drejtave themelore. Normalizimi i mardhënieve Kosovë-Serbi mbetet i rëndësishëm “për avancimin e mëtejshëm të dy vendeve drejt BE-së”, sipas KE, megjithëse me ritme të ndryshme. Serbia dhe Mali i Zi shënuan hapjen dhe mbylljen paraprake të disa kapitujve negociues me Unionin, ndërsa Kosova regjistron këtë vit hyrjen në fuqi të MSA-s, por ende pret për liberalizimin e vizave. Bosnja aplikoi vetëm këtë vit për anëtarësim në BE, ndërkohë që Turqia, e pakënaqur me qëndrimet e Brukselit mbi puçin dhe heqjen e vizave, kërcënon BE-në për rikthim të valës së emigrantëve. (Përgatiti Arta Tozaj)