KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Komisioni i ekonomisë, PS-PD polemika për borxhin e vitit 2017
komisioni i ekonomise, borxhi publik, deficiti buxhetor

Komisioni i ekonomisë, PS-PD polemika për borxhin e vitit 2017

Borxhi publik dhe defiçiti buxhetor për vitin 2017 janë diskutuar mes polemikash mes deputetëve të PS dhe PD në komisionin e ekonomisë, pjesë e diskutimeve për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.

Ministri i financave Arben Ahmetaj theksoi se synohet që borxhi të ulet deri në 69.1 përqind për vitin 2017 nga 71.4  përqind që është aktualisht. Sipas zotit Ahmetaj nga viti 2007, e deri më sot, borxhi i marrë ka qenë në nivelet e 72.75 përqind. Ministri Ahmetaj nënvizoi se borxhi është një rrezik për ekonominë. Ai gjithashtu tha se defiçiti buxhetor aktual është më i ulëti në 25 vjet.

Deputetët e opozitës  kundërshtuan deklaratat e zotit Ahmetaj. Sipas tyre të dhënat e krahasuara mes dy qeverive për borxhin publik nuk janë të sakta. Por ministri Ahmetaj iu përgjigj se me borxhin e marrë po përfundohen investimet e lëna nga qeveria Berisha. Gjithashtu ministri i financave theksoi se një pjesë e mirë e borxhit është kthyer në afatgjatë, ndërsa qeveria e mëparshme pjesën më të madhe e kish borxh afatshkurtër.