KRYEFAQJA » LAJME » Komisioni i Sigurisë rrëzon dekretin e Presidentit për rishqyrtim në Parlament të ligjit të Sigurisë Publike
Komisioni-i-Sigurisë

Komisioni i Sigurisë rrëzon dekretin e Presidentit për rishqyrtim në Parlament të ligjit të Sigurisë Publike

Komisioni i Sigurisë ka rrëzuar dekretin e Presidentit Bujar Nishani që kthente për rishqyrtim në Parlament ligjin e Sigurisë Publike. Sipas zv/ministrit të Brendshëm Stefan Çipa, kthimi i ligjit nga Presidenti ishte i pabazuar. “Kthimi i ligjit është i pabazuar dhe parcial. Edhe komisioneri për të dhënat personale ka dhënë dakortësinë për ligjin”, tha Çipa. Deputeti i Partisë Socialiste Xhemal Qefalia tha se “Presidenti është përpjekur të japë detaje ku veçohet privatësia. Ka një sërë arsyesh që Presidenti nuk është koherent. Ligji nuk mund të cënojë të drejtën dhe privatësinë në pallate, pasi kjo bazohet në vullnetin e lirë të banorëve. Ftoj komisionin ta votojë kundër dekretin e Presidentit pasi ligji shton sigurinë për qytetarët”. Ndërsa nënkryetari i Komisionit Flamur Noka tha: “Pameca thotë se është cënuar mbrojtja e të dhënave, përbën rrezik. Projektligji është në kundërshtim edhe me ligjin e Policisë Së Shtetit.” Deputeti i LSI-së Luan Rama u shpreh: “Unë kam kërkuar më herët në mbledhjet para se ligji të kalojë në parlament, që t’i sillen komisionit qëndrimet e Pameca dhe Icitap. Në atë mbledhje na është thënë që Pameca dhe Icitap ishin dakort. Por në komision nuk janë sjellë dokumente me qëndrimin e tyre”.
Dekreti i Presidentit që kthente për rishqyrtim ligjin e Sigurisë Publike është rrëzuar me 6 votat e Partisë Socialiste, ndërkohë që 4 deputetë të LSI-së abstenuan, 2 deputetët demokratë dhe një i PDIU-së ishin pro dekretit. Komisioni ka miratuar edhe projektligjin për kufirin, ku zv/ministri Çipa tha se nuk do të vendosen më vula në pasaportat e qytetarëve të cilët do të kalojnë në kufinj, pasi do të funksionojë regjistrimi elektronik i tyre.