KRYEFAQJA » LAJME » Komisioni i Venecias: Reforma në rrugën e duhur, por politika duhet të bjerë dakord
Komisioni i Venecias: Reforma në rrugën e duhur

Komisioni i Venecias: Reforma në rrugën e duhur, por politika duhet të bjerë dakord

Procedura e miratimit të Reformës në Drejtësi pritet të hyjë në një fazë të re pasi ekspertët e Komisionit të Venecias kanë vlerësuar se ajo është në rrugën e duhur. “Do të kemi edhe komente përfundimtare në raportin përfundimtar, por mund të them se reforma është në rrugën e duhur” tha kreu i delegacionit të ekspertëve, Tomas Markert, në përfundim të takimeve intensive dy ditore në Tiranë.
Ajo që tërhoqi më shumë vemendjen në deklarimet e ekspertëve, ishte ekuilibri i vendosur prej tyre mbi propozimet këmbëngulëse të maxhorancës dhe opozitës për zgjedhjen e drejtuesve të institucioneve të drejtësisë. “Çështja më e diskutueshme ka qenë shumica që duhet të përdoret për zgjedhjen e drejtuesve të organeve të ndryshme. Ekspertët kanë propozuar që të zgjidhen me 3/5, ndërsa opozita që të zgjidhen me 2/3. Të dyja këto opsione janë sipas standardeve evropiane, ndaj nuk ka nevojë për ndërhyrjen e Komisionit të Venecias”, tha tha zoti Markert.
Por duket se për Komisionin e Venecias më shumë se zgjedhja e drejtuesve të institucioneve të drejtësisë, është standarti i kandidatëve. “Në kuadër të procedurës së përzgjedhjes duhet të sigurohemi që kandidatët të kenë standarde. Sipas nesh, ekzistojnë disa opsione për zgjidhjen e kësaj situate dhe besoj se forcat politike në Shqipëri duhet të bien dakord” këshilloi Markert.
Ashtu si dhe më parë ekspertët vlerësuan reformë në drejtësi si të domosdoshme për Shqipërinë. “Kjo nuk është një reformë e thjeshtë, por duhet kohë për ta realizuar dhe duhet të rregullojë statusin e prokurorit, gjyqtarit dhe të luftojë korrupsionin” tha zoti Markert. “Ne e mbështesim vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, kemi dhënë detaje dhe rekomandime në takimet e zhvilluara, ndaj raporti i ndërmjetëm ka shumë faqe” shtoi ai.
Ndërkaq në kampin e ekspertëve shqiptarë që hartuan draftin e reformës, ka optimizëm të matur veçanërisht nga maxhoranca. Juristi Gent Ibrahimi tha se “Për çështje teknike draftin që kemi ne legjitimohet”. “Por çështjet kanë edhe nuanca politike. Nuk mund t’i mohosh dimensionet politike kësaj reforme dhe këtu edhe raportuesit e Venecias janë në hall” shtoi zoti Ibrahimi. Nga ana e tyre eskpertët e zgjedhur nga opozita ende nuk kanë dhënë vlerësime.