KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Kompania ajrore Lufthansa ka vendosur të pezullojë fluturimet e saj Frankfurt-Karakas

Kompania ajrore Lufthansa ka vendosur të pezullojë fluturimet e saj Frankfurt-Karakas

Kompania ajrore gjermane, Lufthansa, njoftoi se që nga data 18 qershor do të pezulloje fluturimet për në venezuelë për shkak të vështirësive ekonomike me të cilat po përballet vendi i Amerikës Latine. “Jemi të detyruar të pezullojmë fluturimet nga Karakasi në Frankfurt dhe anasjelltas”, u shpreh kompania në një deklaratë për shtyp. Sipas kësaj kompanie, kontrollet e ushtruara ndaj valutës e bëjnë të pamundur për Lufthansën të konvertoje fitimet e saj në dollarë dhe t’i dërgoje këto para jashtë vendit. Kontrollet e ushtruara në valutë u vendosën për herë të parë në vitin 2003 nga ish-presidenti Hugo Chavez. Kufizimet u shtrënguan më shumë para dy vitesh, duke i detyruar kompanitë ajrore të reduktonin veprimet e tyre në Venezuele, në përpjekje për të riatdhesuar miliarda dollarë të ardhura në monedhën lokale, bolivar. Ndërkohë, ekonomia e Venezuelës është goditur rëndë nga rënia e çmimit të naftës, e cila është dhe burimi kryesor i të ardhurave për të. Vendi po përballet me një inflacion të lartë dhe mungesa të mallrave bazë.