KRYEFAQJA » LAJME » Konçesioni i “Rrugës së Kombit”, PD replikon me MTI
Konçesioni i "Rrugës së Kombit", PD replikon me MTI

Konçesioni i “Rrugës së Kombit”, PD replikon me MTI

Dhënia me konçesion e mirëmbajtjes së “Rrugës së Kombit”,veçanërisht tarifat e pagesave për automjetet janë bërë shkak për replika të shumta mes opozitës dhe qeverisë. “Përveçse një barrë e re mbi qytetarët e xhepat e tyre të lodhur e të varfëruar, fakte të reja tregojnë se kemi të bëjmë me një aferë të pastër korruptive” tha të dielën Ina Zhupa, zëdhënëse e PD. Sipas saj “Qeveria ka shkelur kriterin ligjor në tender, kriter që vetë e kishte vendosur, ku u përcaktua se firma më e favorizuar në garë do te ishte ajo që do kërkonte me pak fond rimbursimi nga qeveria. Ndërkohë, Edi Rama shpalli fituese kompaninë turke, edhe pse ka kërkuar 600 mijë euro më shumë fond rimbursimi se sa operatori tjetër në këtë garë”. Gjithnjë sipas zëdhënëses së PD “Taksa e re 10 euroshe e qeverisë ndaj shqiptarëve jo vetëm është e padrejtë, por është vendosur mbi një aferë ku është shkelur haptazi konkurenca dhe ligji”. “Partia Demokratike përkrah qëndrimin e qytetarëve dhe ne i sigurojmë shqiptarët se do ta anulojmë këtë koncesion sapo të marrim përgjegjësinë e drejtimit të vendit” premtoi zëdhënësja e PD.
Por Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës reagoi për koncesionin e rrugës Milot-Morinë, duke theksuar se kompania ka vendosur të investojë 110 mln euro më shumë gjatë gjatë periudhës koncesionare. Sipas ministrisë është e vërtetë që kompania fituese kërkon subvencion 600 mijë euro më shumë prej vitit të 3-të deri të 15-tin. Rreth 7.2 ml euro në total. Por, kompania fituese ka ofruar të investojë 110 ml euro më shumë gjatë periudhës konçesionare. Komentet për këtë çështje janë krejtësisht të tepërta, shprehet Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës.