KRYEFAQJA » LAJME » Konferencë shkencore në Tiranë për vijën e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi

Konferencë shkencore në Tiranë për vijën e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi

Prijësit e Lidhjes së Prizrenit, 138 vite më parë, i drejtonin një peticion Kongresit të Berlinit, ku shënohej fort se Shqipëria nuk mund të jepte asnjë pëllëmbë tokë për llogari të fqinjëve. Sot 138 vite më pas studjues të albanologjisë, historisë dhe së drejtës ndërkombëtare, theksuan domosdoshmërinë e diskutimit në themel të demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, si një nga temat më të nxehta të aktualitetit politik ne rajon.
“Politika shqiptare duhet të hedhi sytë mbrapa, duhet të dijë se nga vjen, duhet të dijë se çfarë përfaqëson, duhet të ketë përgjegjshmërinë e duhur kur trajton çështje të tilla therrëse me karakter kombëtar” tha historiani shqiptar Pëllumb Xhufi.
Ndërsa Profesori i të drejtës ndërkombëtare Zejnullah Gruda tha se në favor “Kemi me dhjetra harta, duke përfshirë dhe harta të Malit të Zi, harta zyrtare që janë të autorizuara nga autoritetet e Malit të Zi”.
Konferenca shkencore sugjeroi një rishkrim të marrëveshjes se demarkacionit kufitar Kosovës dhe Malit të Zi, ku të merret në konsideratë analiza e eksperteve mbi argumente shkencore, historike, gjeografike dhe juridike.
Glauk Konjufca, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, tha me këtë rast se duhet “Të arrijmë t’a bindim politikën dhe njerëzit e qeverisë që marrin vendime konkrete, që t’i kthejmë mbrapsh dhe që të rifillojë një proces të rinegocimit të demarkacionit me Malin e Zi, që vendosja e vijës kufitare të mbrojë interesat tona”.
Me rastin e 138 vjetorit te Lidhjes se Prizrenit, Biblioteka Kombetare kishte ekspozuar disa nga eksponatet e rralla që hedhin dritë mbi një nga ngjarjet kyçe në historinë shqiptare, ngjarja e cila rrezaton edhe sot.