KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Konflikti në Siri, Obama e Putin bisedojnë në telefon
obama-putin-mjg

Konflikti në Siri, Obama e Putin bisedojnë në telefon

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, kanë rënë dakord të rrisin koordinimin në operacionet e vazhdueshme ushtarake në Siri. Kremlini tha se dy presidentët kanë biseduar në telefon dhe se Putin, i cili e ka marrë në telefon, i ka kërkuar Obamës të ndihmojë në ndarjen e rebelëve të moderuar të opozitës në Siri nga grupet ekstremiste si Fronti Al Nusra. Shtëpia e Bardhë tha se Obama ka kërkuar nga Rusia që t’i bëjë presion regjimit sirian për të ndaluar ofensivat. Biseda është zhvilluar pasi ushtria siriane ka shpallur armëpushim të njëanshëm 72-orësh, i cili duhet të zgjasë deri mesnatën e 8 korrikut. Disa grupe rebele kanë thënë se do të respektojnë armëpushimin gjatë Festës së Bajramit. Obama po ashtu i ka kërkuar Putinit të ndërmarrë hapa për t’i dhënë fund përshkallëzimit të luftës në Ukrainën lindore.