KRYEFAQJA » LAJME » Kontrolli shëndetësor, shqetësim diabeti dhe tensioni i lartë

Kontrolli shëndetësor, shqetësim diabeti dhe tensioni i lartë

Mund të cilësohen befasuese rezultatet e kontrollit të parë shëndetësor të popullatës në Shqipëri. Në fakt bëhet fjalë për shtetasit e grup moshës 40 – 65 vjeç, të cilët gëzojnë të drejtën të bëjnë një kontroll të përgjithshëm shëndetësor falas në kujdesin shëndetësor parësor një herë në vit. Në kontrollin që filloi në dhjetor të vitit të kaluar sipas ministrit të shëndetësisë Ilir Beqaj kanë marrë pjesë 30 mijë banorë në 415 qendra shëndetësore. Rezultate kanë qenë shqetësuese për shkallën e sëmundshmërisë në Shqipëri. 37 për qind e atyre që kanë bërë kontrollin kanë rezultuar me hipertension arterial dhe 4 për qind me diabet. Sipas ministrit Beqaj, 20-50 për qind e personave nuk kishin dijeni që kishin këto sëmundje. “Rreth 80 për qind nuk e dinë që janë me hipertension, që do të thotë se kemi një shkallë shumë të lartë të sëmundjes në popullatë. 12 për qind e personave që kanë bërë kontrollin, vlerësohen si paradiabetikë” tha ai. Hipertensioni dhe diabeti janë sëmundjet më të përhapura vitet e fundit në Shqipëri. Të dhënat e para të kontrollit bazë të popullatës tregojnë se janë 150.000 diabetikë dhe ka patur 36 mijë raste të reja me hipertension arterial. Pas kësaj analize të parë, autoritetet e ministrisë së shëndetësisë theksojnë se fokusi i politikave të shendetit, duhet të synojë edhe parandalimin e sëmundjeve, nxitjen e ndjeshmërisë së popullatës për të përfituar nga shërbimet e ofruara dhe nëpërmjet tyre të sigurojnë një shëndet më të mirë.