KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Konventa e Gjenevës për Refugjatët mbush 65 vjet
konventa e refugjateve

Konventa e Gjenevës për Refugjatët mbush 65 vjet

Nesër mbushen 65 vjet nga Konventa e Gjenevës për Refugjatët. “Marrëveshja për të Drejtat e Refugjatëve” u miratua më 28 korrik 1951 në Konferencën e jashtëzakonshme të OKB-së në Gjenevë dhe ajo hyri në fuqi më 1964. Në vitin 1967 Konventa për Refugjatët u plotësua me “Protokollin për Refugjatët”. Por çfarë rëndësie ka Konventa e Gjenevës për Refugjatët e vitit 1951 sot? Hendrik Cremer, punonjës shkencor në sektorin e Politikës së Europës për të Drejtat e Njeriut, që trajton temat e azilit, migracionit, racizmit dhe të drejtat e fëmijëve, thotë se Konventa për refugjatët ka qenë dhe është me rëndësi të jashtëzakonshme. Ajo është baza e së drejtës ndërkombëtare për refugjatët dhe së drejtës europiane për refugjatët. Por çfarë të drejtash kanë refugjatët sipas Konventës së Gjenevës, cilat janë parimet kryesore të saj? Sipas Cremer, parimi më i rëndësishëm është ndalimi i dëbimit në kufi, pra ndalohet kthimi i njerëzve në shtete, ku ata i kërcënon rreziku për jetën, në vende ku ata përndiqen. Ky është parimi themelor i Konventës së Gjenevës për Refugjatët. Një tjetër rregull i rëndësishëm parashikon, që njerëzit, të cilët kërkojnë mbrojtje dhe azil dhe ata që përndiqen, nuk duhet të sanksionohen. Këta njerëz normalisht udhëtojnë jo legalisht, e në këtë pikë Konventa përcakton, që pikërisht për këtë arsye këta njerëz nuk duhet të ndiqen penalisht. Dr. Hendrik Cremer punon që nga viti 2007 në Institutin Gjerman për të Drejtat e Njeriut në Berlin. Sipas tij krahas këtyre ka edhe një sërë rregullash të tjera. Më 1951 Konventa për Refugjatët vlente vetëm për refugjatët europianë pas Luftës së Dytë Botërore. Më vonë ajo u zgjerua gjeografikisht në vitin 1967 me një protokoll shtesë. Që pas Luftës së Parë Botërore ka pasur nismat e para për të vendosur rregulla për mbrojtjen e refugjatëve, dhe pas Luftës së Dytë Botërore u vendosën këto rregulla. Në fillimet e veta mbrojtja e refugjatëve gjithmonë kufizohej gjeografikisht, pra ajo vlente gjithmonë për refugjatë të caktuar, që për arsye të ngjarjeve të caktuara ata ishin kthyer në refugjatë. Edhe në Konventën e Gjenevës për Refugjatët mbrojtja është e kufizuar në kohë dhe gjeografikisht. vetëm përmes protokollit shtesë më 1967 u shfuqizuan kufizimet, çka do të thotë që Konventa vlen për të gjithë refugjatët. Pavarësisht sa shumë vetë kanë marrë arratinë, konventa vlen në mënyrë universale për të gjithë refugjatët. 148 vende marrin pjesë në Konventë ose në Protokoll, pjesa më e madhe e vendeve i kanë pranuar të dyja. Vendet anëtare të BE-jë janë të gjithë anëtarë të Konventës së Gjenevës, dhe kjo Konventë në mënyrë eksplicite krijon edhe bazën për të drejtën europiane të azilit. Bazuar në nenin 18 të Kartës së BE-së ka një të drejtë për azil sipas parimeve të Konventës së Gjenevës për Refugjatët. Kjo do të thotë, që Konventa e Gjenevës luan një rol të rëndësishëm dhe shërben si bazë thelbësore për të drejtën europiane të azilit. Për shtetet që nuk e kanë nënshkruar Konventën dhe Protokollin, kjo nuk do të thotë që ato s’kanë detyrime. Në marrëveshje me Komisariatin e OKB-së për Refugjatët (UNHCR) është i ndaluar kthimi i njerëzve në vendet ku ka përndjekje, kjo është kompontente e së drejtës ndërkombëtare. E përveç kësaj ka edhe të tjera rregulla në mbrojte të të drejtave të njeriut, si Pakti Ndërkombëtar për të drejtat sociale dhe civile ose Konventa kundër Torturës, që i detyrojnë shtetet t’i respektojnë rregullat përkatëse.