KRYEFAQJA » LAJME » Korrupsioni në FIFA, mbi 10 të arrestuar në Zyrih
Korrupsioni në FIFA, mbi 10 të arrestuar në Zyrih

Korrupsioni në FIFA, mbi 10 të arrestuar në Zyrih

Sot në mëngjes në një ndërhyrje të policisë zvicerane në një hotel të Zyrihut solli arrestimin e më shumë se 10 personave, ndër të cilët funksionarë të lartë të FIFA-s.

Ndër të arrestuarit janë paraguajani Juan Angel Napout, president i Konfederatës Amerikanojugore të Futbollit (CONMEBOL) dhe hondurasi Alfredo Hawit, president i Konfederatës së Amerikës Veriore Qëndrore dhe Karaibeve (CONCACAF). Arrestimet janë bërë në lidhje me skandalin e korrupsionit në FIFA. Drejtësia zvicerane ka pohuar arrestimin e dy krerëve të futbollit botëror.

Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s ka filluar ditën e dytë të punimeve dhe të mbledhjeve, siç ishte parashikuar, edhe pse dy pjesëtarë të FIFA-s u arrestuan sot në Zyrih. Anëtarët e tjerë të këtij Komiteti, që nuk qenë të përzier në operacionet e policisë, ndodhen në selinë e FIFA-s për të marrë pjesë në punime.

Sipas asaj që njofton e përditshmja amerikane The New York Times agjentët kanë hyrë në një hotel luksi nga një hyrje dytësore për të arrestuar mbi 10 funksionarë dhe ish funksionarë të FIFA-s të akuzuar për “bashkëpunim në krim, pastrim parashë të pista dhe mashtrime”.

Ndër të arrestuarit, njoftojnë funksionarë të policisë, nuk është Sepp Blatter, por pohohet arrestimi i Napout dhe Hawit.