KRYEFAQJA » LAJME » Kosova, anëtare e Gjykatës së Arbitrazhit në Holandë
PristineBeograd

Kosova, anëtare e Gjykatës së Arbitrazhit në Holandë

Republika e Kosovës është tashmë zyrtarisht anëtarja e 121-të me të drejta të plota e Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit me seli në Holandë. Anëtarësimi në këtë institucion ndërkombëtar është një arritje shumë e rëndësishme për faktin se Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit, është një ndër organizatat më prestigjioze dhe më të vjetra ndërshtetërore, thekson Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës në njoftimin e saj. Për këtë, ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj ka falënderuar përfaqësuesit e shteteve përkrahëse duke e vlerësuar anëtarësimin lajm të mirë për Kosovën. “Me gjithë përpjekjet e Serbisë për ta bllokuar procesin që nga janari, nga votat e shteteve anëtare u konfirmua edhe zyrtarisht pranimi i Kosovës në këtë organizatë. Faleminderit shteteve përkrahëse për votimin dhe diplomatëve të Kosovës për lobimin. Koordinimi i mirëfilltë me partnerët po sjell edhe rezultatet diplomatike”, është shprehur ministri Hoxhaj. Ministria e Jashtme e Kosovës thekson se, anëtarësimi në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit do ta ndihmojë Kosovën në aspektin ekonomik, sepse do të ofrojë siguri për sipërmarrësit e huaj për të investuar, pasi kjo gjykatë do t’iu mundësojë investitorëve të jashtëm që kontratat me Republikën e Kosovës t’i bëjnë duke parashikuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nga Gjykata e Arbitrazhit. Anëtarësimi në këtë organizatë përveç të tjerash konsolidon më tej subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, si dhe e pajis shtetin me një mjet të rëndësishëm për të trajtuar e zgjidhur mosmarrëveshje të ndryshme ndërkombëtare me shtete apo palë të tjera publike e private.