KRYEFAQJA » LAJME » Kosova, BE-së: Serbia po shkel parimet e dialogut
tahiri-1

Kosova, BE-së: Serbia po shkel parimet e dialogut

Qeveria e Kosovës ka paraqitur në Bashkimin Evropian raportin periodik, i cili ofron një vlerësim për gjendjen aktuale sa i përket dialogut të Brukselit, i cili mbulon periudhën nga 1 janari deri më 14 qershor të vitit 2016. Ky raport vlerëson progresin e përgjithshëm dhe sfidat në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit si dhe trajton secilën marrëveshje në aspekt të detyrimeve të palëve përkatëse të marra gjatë dialogut të Brukselit. Raporti është i nënshkruar nga Ministrja për dialog, Edita Tahiri, njëherësh Kryenegociatore në Dialogun e Brukselit. Në përmbledhjen ekzekutive të këtij raporti ndër të tjera thuhet: Qeveria e Kosovës i kushton rëndësi të madhe dialogut të Brukselit sepse ky dialog kontribuon në paqe dhe stabilitet në rajon, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim rajonal, si dhe kontribuon në avancimin e qëllimeve tona drejt integrimit euroatlantik të Kosovës për të mirën e qytetarëve. Në aspektin e zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit, kjo periudhë raportuese nuk ka shënuar ndonjë përparim thelbësor. Kosova ka qenë efektive në përmbushjen e detyrimeve të saj dhe ka bashkëpunuar ngushtë me BE-në për ta çuar përpara procesin e zbatimit të marrëveshjeve. Megjithatë, e njëjta gjë nuk mund të thuhet edhe për Serbinë e cila praktikisht ka bllokuar procesin e zbatimit, duke mos bërë ndonjë lëvizje të rëndësishme në përmbushjen e detyrimeve të saj. Kjo sidomos në lidhje me marrëveshjen për kodin shtetëror për Kosovën dhe marrëveshjen për funksionimin e pavarur të sistemit të transmisionit të energjisë së Kosovës, të dyja këto marrëveshje janë bllokuar nga Serbia. Serbia ka vonuar edhe heqjen e barrikadës nga Ura e Ibrit në Mitrovicë për shkak se BE-ja nuk ka qenë në gjendje të fillojë revitalizimin e urës, për të cilën është rënë dakord të përfundojë jo më vonë se në qershor të vitit 2016. Si përgjigje ndaj këtyre bllokadave, Kosova nuk ka ndërmarrë ndonjë hap rreth zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin. Qeveria e Kosovës konsideron se zbatimi i marrëveshjeve është kyç për suksesin e këtij dialogu. Kërkojmë nga BE si lehtësuese dhe garantuese e Marrëveshjes së Brukselit që të kërkojë qëndrueshmëri dhe efektivitet të palëve ndaj detyrimeve të tyre të zbatimit, si e vetmja rrugë që çon në arritjen e qëllimeve të dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.