KRYEFAQJA » LAJME » Kosova çdo vit pranon nga diaspora 600-700 milionë euro
diaspora_2566

Kosova çdo vit pranon nga diaspora 600-700 milionë euro

Konferenca “Diaspora-Investimet dhe Punësimi”, që po mbahet sot në Prishtinë, mblodhi për herë të parë në Kosovë një numër rekord investitorësh ndërkombëtarë e vendorë. Diaspora ka qenë dhe do të vazhdojë të mbetet e një rëndësie të veçantë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, u theksua në nisje të konferencës. Përveç prezantimit të projekteve për investime, në konferencë po debatohet edhe për mundësitë që ofron legjislatura e re në Gjermani, si shans real i punësimit të qytetarëve të Kosovës në këtë shtet, por edhe specifika të veçanta për çështje që ndërlidhen direkt me avancimin dhe përgatitjen profesionale të të rinjve në vendin tonë. Kosova për çdo vit pranon nga 600 deri 700 milionë euro nga diaspora, dhe sipas folësve në këtë konferencë këto mjete duhet edhe të kanalizohen në investime në Kosovë. Janë mbi 100 investitorë nga shtetet gjermanofolëse (Gjermani, Zvicër e Austri), dhe mbi 100 biznese vendore, para të cilëve, institucionet qendrore e lokale të Kosovës, po prezantojnë projekte konkrete të investimeve. Ndërsa nesër në kuadër të këtij organizimi, kompani nga vendi dhe tre shtetet gjermanofolëse, do të mbajnë edhe Panairin e Punës, për të cilin tashmë janë paralajmëruar se do të ketë mbi 900 vende të lira.