KRYEFAQJA » LAJME » Kosova dhe BE nënshkruajnë MSA
Kosova dhe BE nënshkruajnë MSA

Kosova dhe BE nënshkruajnë MSA

Kosova dhe Bashkimi Evropian nënshkruan të martën në Strasburg, Marrëveshjen për Stabilizim-Asociimin e Kosovës me BE-në. Marrëveshja, nga Bashkimi Evropian u nënshkrua nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini dhe Komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, ndërsa nga Kosova, në emër të qeverisë Kryeministri Isa Mustafa dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku.
Qeveria kosovare vlerëson se MSA është një prej marrëveshjeve tepër të rëndësishme që u arrit në këtë periudhë dhe një sukses i madh i Republikës së Kosovës.“Jam i lumtur dhe krenar që kam qenë pjesë e këtij momenti historik të përcaktimit formal të Republikës së Kosovës drejt integrimit dhe anëtarsimit në BE. Këtë ia thashë sot edhe Përfaqësues së Lartë Mogerini si dhe Komisionerit Johannes Hahn”, shkruan ministri Çollaku në një postim në Facebook menjëherë pas nenshkrimit të marrëveshjes.
“Pa dyshim, si rezultat i kësaj marrëveshjeje, fati i Kosovës dhe i BE-së në të ardhmen do të jetë i lidhur më ngushtë, dhe fuqimisht besoj se kjo është një arritje e madhe, e drejtë dhe plotësisht në përputhje me interesin tonë shtetëror për integrime euro-atlantike. Kjo nënkupton më shumë mbështetje për të bërë reformat që i duhen vendit tonë: duke filluar që nga luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, përforcimi i mëtejmë i sundimit të ligjit, deri tek reformat ekonomike, me qëllim të rritjes së vendeve të punës dhe rritjen e këmbimit tregtar me BE, duke e rritur eksportin e prodhimeve kosovare” më tej zoti Çollaku. “Nënshkrimi i kësaj marrëveshje është i një rëndësie historike dhe kjo është arsyeja pse edhe një herë unë do të doja të uroj të gjithëve: Urime qytetarë të Republikës së Kosovës” përfundon ministri kosovar i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku.