KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Kosova drejt UNESCO-s
Kosova drejt UNESCO-s

Kosova drejt UNESCO-s

Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s pritet të votojë të mërkurën pas dite për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës në këtë agjenci të OKB-së. Një javë më parë, bordi ka aprovuar axhendën përfundimtare, ku është përfshirë edhe anëtarësimi i Kosovës në organizatë.
Kosova aplikoi për anëtarësim më 16 korrik të këtij viti. Kërkesa është dorëzuar nga Shqipëria dhe është nënshkruar nga 44 shtete anëtare të UNESCO-s që përbën një numër rekord në historinë e re të UNESCO-s.  Ky hap i autoriteteve kosovare është hedhur pas një konsultimi me partnerë dhe pas 130 takimeve me delegacione të UNESCO-s.
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa shpreson në një mbështetje të fuqishme. “Në takime me liderë evropianë dhe botërorë kam marrë zotime se Kosova do të përkrahet fuqishëm në këtë proces. Jemi zotuar, po ashtu , se edhe ne do të përmbushim detyrimet tona ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Ky është një zhvillim i rëndësishëm diplomatik për Kosovën” ka thënë zoti Mustafa.
Për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO janë të angazhuara së bashku pozita dhe opozita kosovare. “Kosova ka vlera të panumërta që mund t’i ofrojë komunitetit ndërkombëtar”, shprehet AAK dhe fton qytetarët e Kosovës që, “të nënshkruajnë peticionin për pranimin e Kosovës në UNESCO, në mënyrë që zëri ynë të jetë më i fuqishëm se zëri i kundërshtarëve të këtij procesi”.
Ndërkohë, mbi tridhjetë media të shkruara, elektronike dhe online të Kosovës i kanë dërguar një letër drejtoreshës së përgjithshme të UNESCO-s, Irina Bokova, në mbështetje të kërkesës së Republikës së Kosovës për anëtarësim në këtë agjenci të specializuar të Kombeve të Bashkuara.
Në fushatë janë përfshirë edhe figura të njohura të artit kulturës dhe shkencës. Sopranoja Inva Mula, këngëtarja Rita Ora dhe shkencëtari Ferid Murad, kanë shkruar dhe kanë ftuar mbarë komunitetin ndërkombëtar për të përkrahur aderimin e Kosovës në në organizatën e Kombeve të Bashkuara UNESCO.
Kosova, shteti më i ri evropian, me pavarësinë e shpallur para shtatë vitësh, në 17 shkurtin historik 2008, deri tash është njohur nga mëse 110 vende anëtare të OKB-së.