KRYEFAQJA » LAJME » Kosova gati për Rio 2016
kosova rio

Kosova gati për Rio 2016

Tetë sportistë nga Kosova, në disiplina të ndryshme, po bëjnë përgatitjet e fundit për të prezantuar vendin në Lojërat Olimpike në Rio, për herë të parë në historinë e vendit. Të premten, flamuri olimpik përmes një ceremonie zyrtare do të bartet nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, tek ekipi i sportistëve që marrin pjesë në Olimpiadë. Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, tha se është shumë me rëndësi që të shënohet kjo ngjarje historike. Pak ditë kanë mbetur përpara se Kosova të bëjë historinë e Lojërave Olimpike, duke u përfaqësuar për herë të parë që prej shpalljes së pavarësisë së saj. Në vitin 2014, ajo u pranua në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar duke i hapur sportistëve nga Kosova një mundësi më shumë të përfaqësimit në skenën ndërkombëtare. Vitin e kaluar sportistët nga Kosova morën pjesë në Lojërat Olimpike Evropiane, të zhvilluara në Baku të Azerbajxhanit, si një lloj përgatitje për Lojërat e Rios. Lojërat Olimpike verore që këtë vit mbahen në Rio de Zhaneiro të Brazilit, fillojnë më 5 gusht dhe në to do të marrin pjesë 115 vende në disiplina të ndryshme.