KRYEFAQJA » LAJME » Kosova hedh hap të ri drejt UNESCO-s
UNESCO, sot votimi për Kosovën

Kosova hedh hap të ri drejt UNESCO-s

Bordi ekzekutiv i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), ka votuar të mërkurën në favor të kërkesës për ta pranuar Republikën e Kosovës në anëtarësinë e kësaj organizate. Draft-rezoluta për rekomandimin për pranimin e Kosovës si anëtare më të re në UNESCO, ishte pika e 43-te e diskutimit në Bordin Ekzekutiv.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka konsideruar lajmin si fantastik.  “Lajm fantastik nga UNESCO. Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s rekomandon kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës. Kërkesa tani i drejtohet Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s në nëntor për votën e anëtarësimit. Vazhdojmë tutje me përkushtim për të avancuar vlerat, harmoninë dhe progresin e vendit tonë” shkruan ajo në Fejsbuk.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, deklaroi se, vendimi i Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s është fuqizim i subjektivitetit ndërkombëtar. “Përkrahja për shtetin e Kosovës nga Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s, është dëshmi e fuqishme se axhenda euro-atlantike e Kosovës dhe anëtarësimi i saj në organizata të rëndësishme ndërkombëtare është një proces që po fuqizohet çdo ditë” bëhet e ditur në një deklaratë të posaçme të qeverisë.
Beogradi zyrtar ka kundërshtuar ashpër anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, duke thënë se “Kishat dhe manastiret serbe në Kosovë i takojnë trashëgimisë dhe pronës së Kishës Ortodokse serbe dhe çdo rrëmbim i kësaj trashëgimie do të ishte cënim real i ekzistimit të objekteve më të rëndësishme fetare, kulturore e historike të popullit serb”.
Votimi i së mërkurës në Bordin Egzekutiv të UNESCO-s për Kosovën, e çon çështjen në Konferencën e Përgjithshme të organizatës, e cila mbahet prej 3 deri më 18 nëntor. Kjo konferencë përbëhet nga 195 vende anëtare dhe do të duhen dy të tretat e votave për një  vendim pozitiv.