KRYEFAQJA » LAJME » Kosova merr masa kundër terrorizmit
Kosova merr masa kundër terrorizmit

Kosova merr masa kundër terrorizmit

Autoritetet shtetërore të Kosovës po shqyrtojnë gjendjen e sigurisë në vend. Kryeministri Isa Mustafa, ka mbledhur të hënën Këshillin e Sigurisë të Kosovës. Zoti Mustafa theksoi se terrorizmi tashmë është një rrezik real për qytetarët e Evropës dhe më gjerë, ndërsa kërkoi shtimin e masave të sigurisë nga të gjitha institucionet e shtetit. “Republika e Kosovës është pjesë aktive e aleancës globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, dhe ka përgjegjësitë e saj në këtë luftë të përbashkët. Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian, shtetet anëtare të saj, si dhe me partnerët e tjerë, deri në dhënien fund, njëherë e përgjithmonë, të ekstremizmit të dhunshëm, terrorizmit dhe ideologjive ekstreme, të cilat po kërcënojnë jetën, sigurinë, mënyrën tonë të jetesës dhe vlerat më humane të njerëzimit”, tha kryeministri Mustafa.
Përfaqësuesit e institucioneve të sigurisë, të pranishëm në mbledhje, kanë bërë të ditur se janë rritur masat e sigurisë dhe gatishmëria operacionale, janë shtuar patrullimet në vendet publike, në institucionet shtetërore lokale dhe qendrore, në misionet dhe rezidencat diplomatike, rrugët kryesore, mjediset multietnike, objektet fetare, arsimore, kulturore si dhe në ambientet tjera të frekuentuara nga të rinjtë.
Policia e Kosovës, po ashtu, u ka bërë thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që të rrisin vigjilencën dhe të shmangin, kurdo që kanë mundësi, sidomos vendet shumë të frekuentuara, siç janë koncertet, ndeshjet sportive, klubet e natës, stacionet e autobusëve apo qendrat tregtare.
Për çdo shqetësim ata nuk duhet të hezitojnë të telefonojnë në numrat e telefonit: nga celulari: 192 ose telefonia fikse: 92 apo në numrat 080019999 ose 038550999.