KRYEFAQJA » LAJME » Kosova në UNESCO, shkarkohet ambasadori shqiptar i Maqedonisë
Kosova në UNESCO, shkarkohet ambasadori shqiptar i Maqedonisë

Kosova në UNESCO, shkarkohet ambasadori shqiptar i Maqedonisë

Agron Buxhaku deri tani ambasadori i Maqedonisë në Francë dhe UNESCO mandati i të cilit mbaronte më 4 dhjetor është shkarkuar nga detyra. Presidenti maqedonas Gjorgji Ivanov nuk ka firmosur zgjatjen e detyrës edhe për një mandat tjetër. Diplomati shqiptar mbante detyrën e ambasadorit në Francë dhe UNECSO nga viti 2009, ndërsa më parë ishte ministër i transportit dhe lidhjeve të Maqedonisë. Ende nuk dihen arsyet e abrogimit të tij, por ka dyshime se dekreti i shkarkimit të zoti Buxhaku nga posti i ambasadorit ka ardhur pas votimit “pro” anëtarësimit të Kosovës në UNESCO si dhe fjalimit të tij në mbështetje të Kosovës në Këshillin Ekzekutiv të UNESCO-s, ditë më parë. Maqedonia, bashkë me Malin e Zi, u kritikua, madje edhe u kërcënua nga ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç për votimin pro kandidimit të Kosovës në Bordin Drejtues të UNESCO-s. Bashkimi Demokratik për Integrim ka heshtur pas shkarkimit të ambasadorit në Paris, Agron Buxhaku nga ana e presidentit Gjorgje Ivanov. Kjo parti siç dihet nuk e njeh Ivanovin si president të vendit, për shkak se VMRO-DPMNE si partnere e koalicionit nuk pranoi propozimin për kandidaturë koncensuale presidenciale dhe rikandidoi Ivanovin për mandatin e dytë. BDI ka vazhduar të drejtojë akuza ndaj Ivanovit, por duke bojkotuar edhe manifestimet e organizuara nën patronatin e tij. Tashmë nuk dihet se cila do të jetë vota e Maqedonisë në 9 nëntor të këtij viti, kur Këshilli i Përgjithshëm i UNESCO-s do të duhet të vendos për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtar shumë të rëndësishëm.