KRYEFAQJA » LAJME » Kosova pranohet në FIFA
Kosova pranohet në FIFA

Kosova pranohet në FIFA

Kosova është pranuar të premten në Federatën Botërore të Futbollit (FIFA). Në Kongresin e FIFA-s që po zhvillon punimet në Meksikë, Kosova mori 141 vota pro, të mjaftueshme këto për pranimin e saj si anëtarja e 210-të në shtëpinë më të madhe të futbollit botëror. Kjo është një tjetër ditë historike për futbollin kosovar, pas 3 majit 2016, kur Kosova u pranua me shumicë votash në Federatën Evropiane të Futbollit (UEFA) gjatë Kongresit të 40-të në Budapest, Hungari.
Para se të votohej për pranimin e Kosovës në FIFA, ka folur edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri. Ai gjatë fjalimit të tij, ka thënë se pranimi i FFK-së në FIFA është krejtësisht legjitim.
“Dua të falënderoj këshillin e FIFA-s, që ka rekomanduar kongresin për të marrë vendim që të pranojë FFK-në, në FIFA, dhe që ajo të marrë pjesë në kualifikimet e kampionatit botëror” tha zoti Vokrri. “FFK, është themeluar në 1946, dhe si e tillë ajo ka organizuar kampionate të rregullta. Kemi luajtur miqësore me rekomandim nga FIFA, me ekipe si Senegali, Turqia. Dua të falënderoj të gjitha federatat që kanë pranuar të luajnë miqësore me ne”, tha ai. Sipas Vokrrit “ky është hapi tjetër sot, pasi Kosova është e njohur nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe nga shumë federata të tjera”. “Votimi i sotëm do të ndikojë edhe në pajtimin me fqinjët tanë. Pranimi i FFK-së në FIFA, është krejtësisht legjitim”, tha pak para votimit kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri.
Pas lajmit në Kosovë nisi festa për anëtarësimin në FIFA, ndërsa zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës, bashkë me shumë gazetarë festuan në një hotel në periferi të kryeqytetit të Kosovës. (Marrë nga ATSH)