KRYEFAQJA » LAJME » Kosova, qendër botërore e tolerancës fetare
kishaxhamia

Kosova, qendër botërore e tolerancës fetare

Javën e ardhshme në Prishtinë do të mbahet konferenca më e madhe e dialogut ndërfetar në Evropë, ku tashmë pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe dy Nobelistet e paqes Shirin Ebadi edhe Tawakkol Karmen. Fokusi i konferencës do të jetë tek roli i gruas në luftimin e ekstremizmit. Konferenca e pestë vjetore e Nismës për Dialog Ndërfetar këtë vit do të sjellë numër rekord liderësh fetarë, akademikësh, gazetarësh dhe diplomatësh nga mbi 50 shtete në botë, që do të vijnë në Prishtinë për të diskutuar për tema të promovimit të dialogut midis religjioneve si dhe luftimit të ekstremizmit. Mes pjesëmarrësve të nivelit të lartë, tashmë është konfirmuar se në Kosovë për herë të parë do të vijnë edhe dy Nobelistet e Paqes, Dr. Shirin Ebadi nga Irani, që është myslimanja e parë që ka fituar Çmimin Nobel ndonjëherë më 2003 si dhe Tawakkol Karmen nga Jemeni, që është gruaja arabe që ka fituar çmimin më prestigjioz në botë për promovim të paqes. Konferenca organizohet nga një koalicion i organizatave që punojnë në promovim të dialogut ndërfetar si Fondacioni Tony Blair për Fetë, Komuniteti Shën Exhidio dhe Instituti Ndërkombëtar për Dialog Ndërfetar, ndërsa prej vitesh ky organizim gëzon edhe mbështetje të Ministrisë së Jashtme të Kosovës. Konferenca fillon më 31 maj dhe do të hapet nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ndërsa folës gjatë 3 ditëve do të jenë edhe liderët tjerë institucionalë. Pritet që nëpërmjet video-linkut konferencës t’i adresohet edhe Kryebashkiaku i Londrës Sadik Khan, që është njëherësh edhe prefekti i parë musliman i kryeqyteteve të BE-së, ndërsa pjesëmarrës ka edhe rabina nga Izraeli, ipeshkvë nga Amerika Latine por edhe diplomatë amerikanë.