KRYEFAQJA » LAJME » Kosova synon NATO-n

Kosova synon NATO-n

Kosova i ka kërkuar NATO-s vendosjen e marrëdhënieve formale ndërmjet tyre. Kërkesa është bërë nga presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga gjatë takimit me Komandantin Suprem të Forcave Aleate për Evropën, gjeneralin Philip Breedlove, i cili ka qëndruar për vizitë në Prishtinë. Sipas njoftimi të dalë me këtë rast kjo bëhet për t’i paraprirë procesit të Kosovës për anëtarësim në NATO. Me komandantin Suprem të NATO-s për Evropën, zonja Jahjaga diskutoi edhe për zhvillimet e fundit politike në vend, situatën dhe sfidat e sigurisë në Kosovë dhe rajon, transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe procesin e integrimit të vendit në NATO.
Gjenerali Philip M. Breedlove u prit edhe nga Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Ai shprehu përkrahje për Kosovën në hapat e ardhshëm, duke vlerësuar lidershipin e Qeverisë së Kosovës dhe fokusimin e saj në zhvillimin ekonomik dhe proceset tjera zhvillimore. Kryeministri Isa Mustafa, e njohu Gjeneralin Breedlove për progresin që po arrihet në Kosovë në avancimin e gjendjes së sigurisë, për proceset integruese evropiane, zhvillimin ekonomik, forcimin e shtetit ligjor dhe reformat tjera. Ai ka nënvizuar përkushtimin dhe rezultatet konkrete të Kosovës në luftën kundër radikalizmit të dhunshëm dhe terrorizmit dhe hapat e mëtejmë në kuadër të luftës së përbashkët të koalicionit global kundër këtyre dukurive.
Komandanti suprem i NATO-s viziton edhe shtabin qëndror të NATO-s në Kosovë. “Është shumë inkurajuese për të parë se si kontributi i KFOR-it për stabilitetin e situatës së sigurisë këtu ka krijuar kohë dhe hapësirë të nevojshme për aq shumë progres. Sigurisht ka ende shumë për t’u bërë, por përparimi është i dukshëm”, tha Breedlove. “Ne do të mbajmë një prezencë fleksibile, parandaluese dhe do të bëjmë ndryshime vetëm atëherë kur situata e sigurisë e lejon një gjë të tillë” theksoi ai.