KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë, arrihet marrëveshja për EULEX-in

Kosovë, arrihet marrëveshja për EULEX-in

Kosova dhe Bashkimi Evropian kanë përmbyllur marrëveshjen për vazhdimin e mandatit të EULEX-it edhe për dy vite tjera. Konfirmimin për këtë marrëveshje e ka dhënë vetë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili ka thënë se të martën është rënë dakord për këtë çështje, kurse miratimi në Kuvend pritet të merret nesër. “Presim të marrim këmbimin e letrës nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogerini, pastaj do të mbajmë një takim të Qeverisë dhe nesër mendojmë t’ia dërgojmë Kuvendit për shqyrtim dhe miratim”, ka deklaruar Mustafa në mbledhjen e qeverisë. EULEX-i është misioni më i madh i Bashkimit Evropian i shtrirë në një vend. Ky mision, përveç kompetencave të caktuara ekzekutive në fushën e drejtësisë, kryesisht merret me këshillimin dhe monitorimin e institucioneve të Kosovës në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit. Misioni i EULEX-it është vendosur në Kosovë në qershor të vitit 2008, për të ndihmuar rendin ligjor pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.