KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë, Çollaku: Kuvendi ta adresojë shpejt çështjen e demarkacionit
bekim-collaku

Kosovë, Çollaku: Kuvendi ta adresojë shpejt çështjen e demarkacionit

Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, i ka bërë thirrje Kuvendit dhe institucioneve të tjera të vendit, që të adresojnë “në mënyrë të përgjegjshme dy çështjet e hapura, demarkacionin dhe liberalizimin e vizave, si çështje të interesit kombëtar”. Ministri Çollaku tha se çështja e demarkacionit “është përgjegjësi e të gjitha institucioneve të vendit si interes madhor dhe adresimi i saj duhet të bëhet sa më shpejt”. “Kjo çështje duhet të kalojë për debat shumë serioz në Kuvend. Kuvendi i Kosovës është institucioni i vetëm që ka përgjegjësinë që të deklarohet në favor ose ta hedhë poshtë nëse vjen në përfundim se ka pasur devijime gjatë procesit. Nuk kemi të drejtë ta vëmë në pikëpyetje të ardhmen evropiane të Kosovës dhe nuk kemi të drejtë ta vëmë në pikëpyetje mundësinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve në zonën shengen”, tha ministri Çollaku. Raportuesja e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon, ka njoftuar se ka vendosur për shtyrjen e procesit të votimit në Komitetin për liritë civile, drejtësi dhe çështje të brendshme të Parlamentit Evropian për 5 shtator me arsyetimin e, siç tha, “përparimit të mangët në përmbushjen e kriterit të fundit, veçanërisht të ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi”. Ministri i Integrimit Bekim Çollaku tha se kjo shtyrje ka qenë e papritur dhe bëhet për arsye që tashmë dihet e që është mosplotësimi i kriterit të vetëm të mbetur, ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Ai tha se nëse nuk do të ketë ratifikim të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi do të vihet në pikëpyetje shumë seriozisht vendimmarrje për liberalizim e vizave në kuadër të institucioneve të BE-së për Kosovën.