KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë, demarkacioni po vë në rrezik koalicionin qeverisës
thaci mustafa

Kosovë, demarkacioni po vë në rrezik koalicionin qeverisës

Koalicioni qeverisës do të vihet në pikëpyetje pas vendimmarrjes për Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Kjo për shkak të dallimeve që partitë kryesore në pushtet kanë për kufirin. Partia Demokratike ende nuk e ka publikuar qëndrimin zyrtar për këtë marrëveshje që një vit më parë ishte firmosur nga Hashim Thaçi, atëkohë kryetar i këtij subjekti politik. Në fillim të vitit, Thaçi është zgjedhur president dhe me të marrë mandatin, ka hequr dorë nga funksioni partiak. Prej atëherë, jo pak deputetë të PDK-së kanë folur me rezerva në lidhje me demarkacionin. E këtë javë, kjo parti ka dalë me qëndrimin se zgjidhja e kontestit duhet kërkuar në arbitrazhin ndërkombëtar. Në anën tjetër, kryeministri Isa Mustafa dhe partia të cilën ai drejton, Lidhja Demokratike, kanë mbetur jetimë në insistimin që me çdo kusht duhet ratifikuar versioni aktual i demarkacionit, për të cilin ekspertë dhe opozita prej një viti kanë alarmuar se i tkurrë territorin shtetit për rreth 8 mijë hektarë. Qëndrimi është mbështetur edhe nga forume të larta partiake, siç është Kryesia.