KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë, dënimi i korrupsionit, kërkesë e Komisionit Evropian
Photo: © Europen Parliament/P.Naj-Oleari
pietro.naj-oleari@europarl.europa.eu
Photo: © Europen Parliament/P.Naj-Oleari pietro.naj-oleari@europarl.europa.eu

Kosovë, dënimi i korrupsionit, kërkesë e Komisionit Evropian

Një regjistër i rasteve të dënuara për korrupsion në nivel të lartë mbetet ndër kushtet që Komisioni Evropian i ka kërkuar Kosovës, si pjesë e paketës së kritereve për liberalizim të vizave. Por, regjistri i përgatitur nga Këshilli Gjyqësor i 6 muajve të fundit, përfshin të dënuar për korrupsion për shuma të mëdha, megjithëse me pozita të ulëta.
Sipas kërkesës së Komisionit Evropian, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka bërë një listë paraprake të rasteve të dënuara për korrupsion, por regjistri me raste të profilit të lartë mbetet ende i varfër. Besnik Ramosaj, drejtor i Departamentit të Statistikës në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, tregon se çfarë përfshin regjistri aktual. “Kërkesat kanë qenë prej Komisionit Evropian për një regjistër të rasteve të dënuara për korrupsion, por këtë herë të nivelit të lartë. Ne, në nivel të lartë kemi kategorizuar prej drejtorëve të departamenteve në ministri, sekretarë permanent, zëvendësministra, ministra, gjykatës, prokurorë e më lart”, ka thënë Ramosaj. Këtë vit, të dhënat e Këshillit Gjyqësor tregojnë se gjykatat kanë trashëguar 429 lëndë për korrupsion me gjithsej 1 100 persona. Vetëm në tre muajt e parë të vitit, këtij volumi i janë shtuar edhe 51 aktakuza të reja për korrupsion. Gjatë kësaj periudhe janë zgjidhur 68 lëndë me 190 persona. Nga këto 5 persona janë dënuar, 11 janë gjobitur dhe 13 prej tyre kishin dënim me kusht. Megjithatë të dënuarit që tregon Ramosaj, janë raste të korrupsionit për shuma të mëdha, por me pozita të ulëta. Këshilli Gjyqësor duhet që, deri në fund të korrikut, të bëjë freskimin e radhës të regjistrit të rasteve për korrupsion. Komisioni Evropian, i propozoi në maj Këshillit të Bashkimit Evropian heqjen e vizave për Kosovën. Ndër kriteret e papërmbushura, sërish mbetet sundimi i ligjit dhe dënimi i korrupsionit në nivel të lartë. Shifrat e Këshillit Gjyqësor, tregojnë se kundër korrupsionit autoritet kosovare po bëjnë një luftë me intensitet të dobët.