KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë, fillon konferenca ndërfetare
interfaith kosovo

Kosovë, fillon konferenca ndërfetare

Prishtina sot do të jetë nikoqire e një takimi të madh, të pestin me radhë të titulluar “Interfaith Kosovo”. Në këtë konferencë sivjet pjesëmarrjen kanë konfirmuar shumë pjesëmarrës, përfshirë edhe liderë fetarë nga Argjentina, Jemeni, Amerika, Kuba, Tajlanda, Nigeria, si dhe mbi 45 shtete tjera nga mbarë bota. Konferenca, e cila sivjet organizohet nën patronazhin e Presidentit të Republikës së Kosovës, titullohet “Roli i gruas në promovimin e dialogut ndërfetar dhe luftimin e ekstremizmit” dhe është e organizuar nga disa organizata që promovojnë dialogun si Instituti Ndërkombëtar për Dialog Ndërfetar, “Tony Blair Faith Foundation”, ndërsa mbështetës janë Ministria e Punëve të Jashtme, Kuvendi i Republikës së Kosovës, Ambasada Amerikane, Ambasada Kanadeze, Ambasada Norvegjeze, si dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara. 300 pjesëmarrës do të marrin pjesë në panele të ndryshme që i dedikohen temave që kanë të bëjnë me familjen, rolin e gruas, pastaj gjuhën e urrejtjes në rrjete sociale. Konferenca “Interfaith Kosovo” këtë vit do të ndajë edhe Çmimin e Kosovës për Dialog Ndërfetar, që do ta marrin Kryebashkiaku i Londrës, Sadik Khan si dhe Monsignor Vincenzo Paglia.