KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë, Gjykata Speciale pret dritën jeshile nga Brukseli
gjykata-speciale

Kosovë, Gjykata Speciale pret dritën jeshile nga Brukseli

Përfaqësues nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës thonë se deri tani janë përmbushur të gjitha detyrimet për themelimin e Gjykatës Speciale. Ata thonë se infrastruktura juridike për Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë tashmë është ndërtuar, përfshirë këtu miratimin nga Kuvendi i Kosovës të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, tha se të gjitha veprimet për formimin e kësaj gjykate janë ndërmarrë, duke respektuar ligjet e Kosovës dhe rregulloret e veçanta. Prandaj, vijon ai, nuk ka asnjë arsye që institucionet e Kosovës të mos bashkëpunojnë me këtë gjykatë. Haliti tha se askush nuk e ka dëshiruar një gjykatë të tillë. Por, ai beson se puna e kësaj gjykate do të dëshmojë edhe një herë se lufta të UÇK-së ka qenë e pastër dhe e drejtë. Edhe në Qeverinë e Kosovës thonë se detyrimet e tyre karshi Gjykatës Speciale kanë përfunduar. Besnik Berisha, këshilltar i Jashtëm për çështje të Drejtësisë në zyrën e kryeministrit të Kosovës, thotë se kjo çështje tashmë është e përfunduar dhe se qeveria nuk ka dhe nuk do të duhej të përzihej në punët e sistemit të drejtësisë. Ideja për themelimin e një Gjykate Speciale buron mbi bazën e hetimeve të nisura nga Këshilli i Evropës, që si bazë kishin dyshimet e zviceranit Dick Marty, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Tashmë ka mbetur që një komision i posaçëm i Bashkimit Evropian të shpallë konkursin për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Gjykatës Speciale për krime të luftës në Kosovë, si dhe stafin administrativ për këtë gjykatë.