KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë: Hoxhaj takohet me ambasadorin britanik
Kosovë: Hoxhaj takohet me ambasadorin britanik

Kosovë: Hoxhaj takohet me ambasadorin britanik

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar sot në Prishtinë ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Connell. Dy bashkëbiseduesit diskutuan për bashkëpunimin e mëtejmë të të dy vendeve si dhe për koordinimin e veprimeve për sa i përket shtimit të njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

“Britania e Madhe, ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e madhe e Kosovës së pavarur dhe fuqizimit të sovranitetit tonë dhe si një partner i fuqishëm europian por edhe global, ajo do të ndihmoj në rritjen e numrit të njohjeve të Kosovës si dhe në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare”, tha Hoxhaj.

“Pavarësisht zhvillimeve të fundit në Britaninë e Madhe, interesi ynë ka qenë që të mbështesim shtetet tjera në Europë sepse ato janë në një hapësirë europiane”, tha ndër të tjera ambasadori O’Connell.

Një pikë e nxehtë e takimit ishte edhe çështja e kufinjëve të Kosovës. Ministri Hoxhaj tha se aktualisht po diskutohet brenda institucioneve se kur do të procedohet në Kuvend për miratim, Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. “Kosova ende nuk është shtet anëtar i OKB-së dhe ambasadori britanik dhe unë e dimë se çka nënkupton kjo. Çdo demarkim i kufirit me Malin e Zi e shndërron atë në kufi ndërkombëtar dhe e dimë peshën se sa ia vlen të përmbyllet një proces i tillë”.