KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Kosovë, Jahjaga i drejtohet Kuvendit, opozita braktis sallën
Kosovë, Jahjaga i drejtohet Kuvendit, opozita braktis sallën

Kosovë, Jahjaga i drejtohet Kuvendit, opozita braktis sallën

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, u bëri thirrje disa herë subjekteve politike që në Kuvendin e Kosovës të ulen dhe të dialogojnë për të ardhmen e vendit. Zonja Jahjaga foli të enjten në parlament, në një seancë ku opozita e braktisi seancën sapo ajo mori fjalën.
Zonja Jahjaga kujtoi se e ka nisur vitin duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos e braktisin vendin, ndërkohë që po e përmbyll vitin duke u bërë thirrje deputetëve që të ulen dhe të gjejnë rrugën për dialog dhe dalje nga kjo situatë politike. “Dhunën nuk do ta shndërrojmë në mjet politik. Njëkohësisht askush nuk e gëzon të drejtën ta dëmtoj vendin. Qytetarët u bënë spektatorë të një dhunë të paparë. U sfiduan rënd rendi dhe ligji” tha ajo.
Presidentja disa herë gjatë fjalimit të saj u bëri thirrje deputetëve që pa humbur kohë të ulen dhe të arrijnë konsensusin bazik të dialogut për ta konsoliduar Kosovën shtet demokratik. “T’i bindim skeptikët që Kosova do ecë përpara. Para nesh kemi shumë sfida, dhe ato nuk kemi pse ti maskojmë. Por duhet që njëkohësisht të i numërojmë të mirat e këtij vendi, që me përpjekjen dhe punën e shumë burrave dhe grave kemi mbërritur” tha ndër të tjera zonja Jahjaga.
Presidentja e vendit Atifete Jahjaga në fjalimin e saj vjetor para deputetëve të vendit ka shprehur shqetësim edhe për situatën ekonomike të Kosovës. Sipas saj Kosova sa i përket standardit jetësor nuk është as afër standardeve që ka rajoni, e lërë më shtetet e Bashkimit Evropian. “Pa ekonomi të fuqishme nuk mund të kemi as arsim, shëndetësi, siguri e as ushtri”, tha zonja Jahjaga.