KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë, koalicioni qeverisës nuk ka mjaftueshëm vota për demarkacionin me Malin e Zi
kufiri-kosove-mali-zi

Kosovë, koalicioni qeverisës nuk ka mjaftueshëm vota për demarkacionin me Malin e Zi

Sigurimi i 80 votave për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi vlerësohet si sfidë për koalicionin qeverisës, PDK-LDK dhe minoritetet. Që kjo çështje të mos dështojë kërkohet një konsensus i domosdoshëm mes pushtetit dhe opozitës. Derisa presidenti Thaçi kërkon ratifikimin e marrëveshjes, opozita kërkon komision të ri për vijën kufitare. Mosmarrëveshjet brenda koalicionit qeverisës, PDK-LDK-minoritet, sa i përket Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, e kanë vënë në dilemë ratifikimin e kësaj marrëveshjeje në Kuvendin e Kosovës. Sipas përfaqësuesve të partive politike dhe sipas vlerësimit të analistëve politikë, koalicioni qeverisës nuk i ka votat e mjaftueshme për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, që kërkohen dy të tretat e gjithë deputetëve. Prandaj subjektet opozitare, analistët politikë, por edhe disa deputetë të koalicionit qeverisës theksojnë nevojën e një zgjidhjeje të përbashkët mes të pushtetit dhe opozitës.