KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë, Kuvendi diskuton axhendën me 20 pika
kuvendi

Kosovë, Kuvendi diskuton axhendën me 20 pika

Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në një seancë plenare me 20 pika në axhendë, duke nisur me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare. Do të shqyrtohen dhe votohen pikat e papërfunduara nga seanca e mbajtur në 28 dhe 29 prill, projektligji për ratifikimin e Konventës për heqjen e kërkesës për legalizim të dokumenteve zyrtare të huaja, projektligji për Akademinë e Drejtësisë dhe projektligji për patentat e shoferëve. Në axhendë është edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës. Do të votohen, gjithashtu, anëtarët e Bordit Këshillëdhënës për Mbrojtjen e Mjedisit, raporti i Komisionit për Integrime Evropiane lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale, raporti i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, si dhe raporti i Performancës së Ndërmarrjeve Publike për vitin 2014. Më pas, do të vazhdohet me shqyrtimin për herë të parë të Projektligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit. Shqyrtimi i këtij projektligji do të bëhet me procedurë të përshpejtuar, duke u shmangur nga Rregullorja e Kuvendit.