KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë, Kuvendi shqyrton sot dy projektligje për EULEX

Kosovë, Kuvendi shqyrton sot dy projektligje për EULEX

Kuvendi i Kosovës vazhdon sot seancën plenare me axhendë shqyrtimin e dy projektligjeve për vazhdimin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX. Pas miratimit në mbledhjen e qeverisë të një ditë më parë dhe procedimit të menjëhershëm në Kuvend, grupi parlamentar i LDK propozoi që në rend dite të seancës me 17 pika, në axhendë të hyjnë edhe Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Republikën e Kosovës si pika 18 e 19. Propozimi i mbështetur edhe nga grupi parlamentar i PDK u miratua me 70 vota pro, 12 kundër e 1 abstenim. Votim kundër këtij propozimi paralajmëroi grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, duke kërkuar kohë për shqyrtim dhe procedura për këto projektligje. Mandati i misionit të EULEX-it në Kosovë ka përfunduar në 15 qershor, sikurse që është paraparë në letrat e shkëmbimit të Presidentes kosovare dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian në vitin 2014.