KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë – Maqedoni, kalimi mes dy vendeve do bëhet vetëm me letërnjoftime
Kosovë - Maqedoni, kalimi mes dy vendeve do bëhet vetëm me letërnjoftime

Kosovë – Maqedoni, kalimi mes dy vendeve do bëhet vetëm me letërnjoftime

Qytetarët e Kosovës dhe ata të Maqedonisë, do të mund të qarkullojnë në të dy vendet vetëm duke paraqitur letërnjoftimet në kufi.  Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës Hashim Thaçi dhe homologu i tij maqedonas Nikolla Poposki nënshkruan të hënën në Prishtinë një marrëveshje të posaçme për kalimin e kufirit, si dhe për hapjen e vendkalimit të ri kufitar Stançiç-Bellanoc.
“Sot është një moment i ri për popujt tanë. Nënshkruam marrëveshje të rëndësishme për qytetarët e Kosovës dhe Maqedonisë. Njëri për kalimin e kufirit me letërnjoftime dhe tjetri për hapjen e vend-kalimit kufitar në Bellanoc-Stançiç, që afron Karadakun me Maqedoninë. Ne do të punojmë për implementimin e shpejtë të këtyre marrëveshjeve”, tha ministri Thaçi. Ai shprehu shpresën se “Këto marrëveshje do të intensifikojnë bashkëpunimin ekonomik dhe do t’ua lehtësojnë qytetarëve tanë vizitat e ndërsjella familjare”. “Maqedonia mbetet partnere e rëndësishme ekonomike dhe politike e Kosovës, ndëra me autostradën Prishtinë-Shkup do ta rrisim edhe më shumë bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve tona” tha ministri i jashtëm i Kosovës.
Ndërsa Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, Nikolla Poposki tha se “Maqedonia dhe Kosova gëzojnë marrëdhënie të hapura dhe të përzemërta tradicionale”. Zoti Poposki tha se pret që marrëveshjet e nënshkruara të shoqërohen me bashkëpunim edhe më intensiv në projekte të ndryshme në fushat e ekonomisë, arsimit, shkencës, sigurisë, infrastrukturës dhe kulturës dhe se do të punohet që të sigurohen fonde nga Bashkimi Evropian dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtarë financiarë. Ministri i Jashtëm maqedonas Poposki nënvizoi se është në interes të Maqedonisë që të ketë Kosovën si një fqinj të qëndrueshëm dhe prosperues.