KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë, marrëdhënie gjithnjë e më të tensionuara midis qeverisë dhe opozitës
Kosovë, marrëdhënie gjithnjë e më të tensionuara midis qeverisë dhe opozitës

Kosovë, marrëdhënie gjithnjë e më të tensionuara midis qeverisë dhe opozitës

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, përmes një komunikate të shtunën ka hedhur më shumë dritë rreth seancës plenare të mbajtur në orët e para të mëngjesit. “Në pamundësi për mbajtjen e seancave plenare, më 17 shtator 2015, 8, 15 dhe 23 tetor 2015, ku është bllokuar puna e seancës plenare, është cënuar siguria dhe shëndeti i deputetëve, në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, të mbajtur me 23 tetor 2015, është marrë vendimi përmes të cilit kërkohen veprime plotësuese, duke përfshirë edhe ndërhyrjen e zyrtarëve të policisë për siguri, në mënyrë që të sigurohet shëndeti i deputetëve dhe mbarëvajtja e punimeve të seancës plenare” bëhet e ditur në  komunikatën e kryesisë. Ajo sqaron se vendimi është marrë në mbështetje të nenit 67.6 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të nenit 41, paragrafi 4 të Rregullores së Kuvendit. ” Vazhdimi i seancës së 23 tetorit 2015 në sallën tjetër të Kuvendit të Kosovës, është bërë mbi bazën e nenit 4 të Rregullores së Kuvendit. Salla në të cilën është mbajtur vazhdimi i seancës nuk është byfeja e Kuvendit, por sallë alternative e sallës kryesore.  Një nga arsyet pse seanca është zhvendosur në sallën alternative është se deputetët opozitarë me veprimet e tyre kanë shkaktuar dëmtim në rrjetin e zërimit përmes prishjes së gjashtë mikrofonave”, përfundon njoftimi i Kryesisë së Kuvendit.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka reaguar për zhvillimet në Kuvendin e Kosovës gjatë të premtes duke u gdhirë e shtunë. “Jam thellësisht e shqetësuar dhe e shpreh keqardhjen time të thellë për zhvillimet në Kuvendin e Kosovës dhe jashtë tij. Skenat dhe veprimet e dhunshme në Kuvend janë të dënueshme dhe të papranueshme, mjetet e përdorura plotësisht në kundërshtim me parimet bazike të një rendi demokratik dhe një demokracie parlamentare”, shprehet zonja Jahjaga.
Ajo i bën thirrje ndërkohë opozitës kosovare të heqin dorë nga dhuna. “Aspiratat e vendit tonë po rrezikohen thellësisht nga këto ngjarje dhe këto veprime po e dëmtojnë demokracinë që e kemi ndërtuar me mund. Apeloj te i tërë spektri politik që t’i kthehen normalitetit, që institucionet të vazhdojnë punën sepse kemi shumë sfida para vetes” vlerëson zonja Jahjagës. ““Qytetarët që na kanë zgjedhur presin nga ne të jemi shembull i promovimit të sundimit të ligjit, respektim të procesit demokratik. Dialogu është gurthemel i demokracisë. Aty ku ka dialog, ka zgjidhje” nënvizon presidentja e Kosovës Ahtifete Jahjaga.
Por opozita kosovare duket e vendosur. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, një nga figurat kryesore të opozitës,  tha të shtunën në një konferencë shtypi se ngjarjet e djeshme ne Kuvend, dëshmojnë se në Kosovë është përmbysur edhe jeta parlamentare edhe sistemi demokratik. Zoti Haradinaj  tha se marrëveshjet për demarkacionin me Malin e Zi dhe Asociacionin, “nuk mund të jenë çështje e dy njerëzve apo e do farë komisionesh me njerëz të korruptuar”. “Këto tema janë më të mëdha sepse flitet për territorin e shtetit, sepse Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, nuk është derivate e një marrëveshjeje, as e një Plani (siç ka qenë Plani Ahtisaari), por diçka krejtësisht e re, që është në kundërshtim me Kushtetutën. Prandaj, meqë nuk po shohim shenja të reflektimit as të përgjegjësisë politike, të dyshes Mustafa-Thaçi, meqë deri me sot janë penguar të gjitha nismat për t’i dhënë zgjidhje këtyre temave, dhe meqë ështëD provokuar kaq rëndë opozita edhe opinioni me “maskaradën” e djeshme në Kuvend, ne do të vazhdojmë t’i kundërshtojmë këto marrëveshje deri në tërheqje, ose dorëheqje të qeverisë” këmbënguli zoti Haradinaj.