KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë, maxhoranca përgatitet të zgjedhi presidentin, opozita për protestë
Kosovë, maxhoranca përgatitet të zgjedhi presidentin, opozita për protestë

Kosovë, maxhoranca përgatitet të zgjedhi presidentin, opozita për protestë

Ndërsa Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë të premten një seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, ku kandidat është Hashim Thaçit, opozita ka paralajmëruar një protestë sipas saj mbarëpopullore. Kryetarët e opozitës, Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje, Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limaj nga NISMA për Kosovën, bënë thirrje që qytetarët t’i bashkohen protestës të së premtes që në orën 10:00, ndërsa seanca e posaçme duhet të mbahet në orën 11:00.
Kreu i VV-së, Visar Ymeri deklaroi mbrëmjen e djeshme se “Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka marrë një vendim skandaloz përmes të cilit do t’i mundësojë Hashim Thaçit që kapjen e shtetit ta zgjerojë dhe ta thellojë deri në presidencë, si institucioni më i lartë shtetëror”. Sipas tij kjo zgjedhje mundësohet nga votat e deputetëve të Listës Serbe.
Nga ana e tij kreu i AAK-së Ramush Haradinaj tha se “jetojmë në një shtet të kapur duke shtuar se ka politizim të skajshëm të institucioneve, korrupsion të lartë, gjendje të rëndë ekonomike, vështirësi në rend dhe ligj, gjendje jo e mirë në politikë të jashtme”. Për zgjedhjen e krizës politike në vend, Hardinaj tha se “i kemi dhënë të gjitha mundësitë regjimit Mustafa – Thaçi për dalje nga kjo gjendje”. Ai bëri thirrje që të gjithë ata që e kuptojnë sa thellë ka arritur kriza politike në Kosovë, të ndërhyjnë dhe të shpallen zgjedhjet dhe të shpërbëhet Kuvendi.
Lideri i NISMA-s për Kosovën, Fatmir Limaj, i cili konsideroi se opozita nuk po e kupton se në çfarë situate është vendi, duke shtuar se ata janë në gjendje të bëjnë çdo gjë për t’i realizuar objektivat e tyre. Deputetë e aktivistë të partive opozitare në Kosovë vazhdojnë të qëndrojnë në tenda në sheshin “Skenderbeu” dhe atë “Ibrahim Rugova”, që prej datës 23 shkurt, në shenjë proteste kundër qeverisë Mustafa-Thaçi.