KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë, mazhoranca fton opozitën në Kuvend, opozita kërkon zgjedhje
kuvendi

Kosovë, mazhoranca fton opozitën në Kuvend, opozita kërkon zgjedhje

Në Kosovë, partitë në pushtet thonë se janë të gatshme t’i ofrojnë opozitës çdo gjë që bazohet në Kushtetutë dhe rregullore të Kuvendit dhe i bëjnë thirrje të ulen e të bisedojnë. Opozita shprehet e gatshme të bisedojë vetëm për datën e zgjedhjeve të reja. Partitë politike në opozitë, kanë bojkotuar sërish punimet e Kuvendit të Kosovës, i cili u fut në seancë pas një jave, përmes kritikave për moskryerjen e detyrimeve të tij kushtetuese. Partitë në pushtet dhe ato në opozitë për muaj të tërë nuk kanë arritur të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të tejkaluar mospajtimet e thella dhe për të funksionalizuar plotësisht Kuvendin e Kosovës. Tri partitë në opozitë, pas muajsh të tërë pengimi të punimeve të Kuvendit, përmes hedhjes së gazit lotsjellës, ka më shumë se dy muaj që po i bojkotojnë punimet e tij. Ndërkohë, partitë në pushtet sërish u bënë thirrje atyre që të rikthehen në Kuvend dhe që shqetësimet e tyre t’i adresojnë pikërisht në këtë institucion. Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se partitë politike që janë në pushtet nuk ndjehen mirë pa praninë e deputetëve opozitarë dhe vlerësoi se oferta për opozitën është që të rifillojë bisedimet për të gjetur zgjidhje. Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Ismet Beqiri, tha se opozita duhet të kthehet në Kuvend për ta ndihmuar vendin dhe për t’i dhënë shtytje proceseve në të cilat duhet të kalojë Kosova. Partitë politike opozitare që janë pjesë e Kuvendit të Kosovë për muaj me radhë kanë kundërshtuar Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumice serbe në veri të Kosovës dhe atë për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Kjo e fundit, ndërkaq, është vlerësuar të jetë edhe kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Pa opozitë Kuvendi i Kosovës ka miratuar disa ligje, megjithëse me një shumicë të thjeshtë të votave për shkak të numrit të deputetëve që kanë marrë pjesë në seancë. Gjatë ditës, partitë opozitare thanë do të vazhdojnë të mbajnë të njëjtin qëndrim si deri më tani: se do të kthehen në punimet e Kuvendit vetëm kur të vendoset për kohën e zgjedhjeve të reja në vend dhe kur të zgjidhet problemi i dy marrëveshjeve, që për to janë të papranueshme.