KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë, Mustafa: Ndryshimet në qeveri në bazë të performancës
isa

Kosovë, Mustafa: Ndryshimet në qeveri në bazë të performancës

“Ndryshimet në qeveri do të bëhen duke u bazuar në vlerësimin e performancës së ministrave dhe zëvendësministrave”, deklaroi kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Në një postim në rrjetin social Facebook, kreu i qeverisë kosovare thekson se “meqenëse ka interesim të opinonit se a do të ketë ndryshime në qeveri, dua të sqaroj se vlerësimi i performancës së ministrive, por edhe të zëvendësministrave bëhet në vazhdimësi. Varësisht nga kjo me partnerin e koalicionit do të vendosim për ndryshime”. “Është raporti i punës së qeverisë për vitin 2015, në të cilin janë detajuar përmbushjet e objektivave në të gjitha fushat, që shërben për të vlerësuar punën në përgjithësi, por edhe veç e veç për dikastere të caktuara. Rezultatet e qeverisë janë evidente, mirëpo gjithmonë ka hapësirë për përmirësime”, shprehet Mustafa. Krahas kësaj, vijon ai, do të bëhen edhe plotësimet e nevojshme, si rrjedhojë e zgjedhjes së Hashim Thaçit President i Republikës së Kosovës, nga pozita e zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme.