KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë, përkujtohet presidenti Rugova
Kosovë, përkujtohet presidenti Rugova

Kosovë, përkujtohet presidenti Rugova

Nën kujdesin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u organizua akademia përkujtimore me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së Presidentit, Ibrahim Rugova. Në fjalimin e mbajtur presidentja Atifete Jahjaga, ajo kujtoi njeriun që udhëhoqi shtetin drejt një historie të re të paqes dhe demokracisë.
“Në këtë dhjetëvjetor, së bashku kujtojmë njeriun që na ka udhëhequr drejt historisë së re – të paqes, demokracisë dhe shtetit të qytetarëve të tij, të denjë për të qenë pjesë e pandashme e botës së zhvilluar. Presidenti Rugova është simboli i unitetit të popullit të Kosovës, duke udhëhequr një politikë të urtë e paqësore, për të ruajtur në kohët më të vështira të historisë sonë të rëndë, njeriun e Kosovës. Ngjashëm me çliruesit më të mëdhenj botërorë të shekullit të tij, Presidenti Rugova udhëhoqi politikën e rezistencës paqësore, duke u bërë zëri i të shtypurve dhe forca shpirtërore e një populli që po luftonte për lirinë e tij dhe për të nesërmen më ndryshe”, tha zonja Jahjaga. Sipas saj presidenti Rugova i dha jetë miqësisë së përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që i qëndruan pranë Kosovës në çdo moment. Zonja Jahjaga tha se vizioni i tij për Kosovën ishte pjesë e pandashme e botës së përparuar, anëtare e barabartë me të gjitha shtetet e tjera në OKB, në NATO dhe në të gjitha organizatat ndërkombëtare.