KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë, policia shoqëron me forcë liderin e VV
Kosovë, policia shoqëron me forcë liderin e VV

Kosovë, policia shoqëron me forcë liderin e VV

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri është shoqëruar me forcë nga policia e Kosovës për në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Partia e tij e cilëson arrestim. Ymeri akuzohet se ka ushtruar dhunë ndaj deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu. Seanca gjyqësore për rastin nuk është zhvilluar për shkak të mungesë së të akuzuarve. Në gjykatë, për rastin është edhe deputeti tjetër Rexhep Selimi. “Visar Ymeri është arrestuar edhe pse gëzon imunitet, si deputet i Kuvendit të Kosovës. Ai është dërguar me forcë në gjykatë, ku është i thirrur si dëshmitar. Arrestimi i kryetarit të subjektit më të madh opozitar vjen pas qindra arrestimesh të aktivistëve e deputetëve të Lëvizjes në gjashtë muajt e fundit”, thekson Lëvizja Vetëvendosje. Sipas saj arsyet e kësaj përndjekje “mesjetare janë tërësisht politike” dhe se kjo lidhet me bllokimin e Kuvendit për rreth gjashtë muaj. “Të gjithë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, përfshirë këtu kryetarin Visar Ymeri, shefin e grupit parlamentar Glauk Konjufca apo sekretarin organizativ Dardan Molliqaj, nuk janë njerëz që arratisen prej Kosovës për t’i ikur drejtësisë, siç bëjnë zyrtarët e lartë të partive në pushtet”, thuhet më tej  në njoftim.
“Të gjithë ne jemi të arrestueshëm, ndryshe nga kriminelët dhe multimilionerët e PDK-së dhe LDK-së që janë të paprekshëm. Por nuk do të vijmë vetë në gjyqet politike të urdhëruara nga pushteti. Do të vazhdojmë rezistencën deri sa ta shpërfaqim krejt dhunën policore dhe shumëstandartësinë gjyqësore të këtij pushteti me karakteristika totalitare” parlajmëron Vetëvendosje.