KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë, qeveria bën bilancin një vjeçar
parlamenti i kosoves

Kosovë, qeveria bën bilancin një vjeçar

Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka bërë bilancin e saj një vjeçar. Të mërkurën ajo ka zhvilluar mbledhjen e 63-të, bilanci i së cilës ka qenë hartimi dhe miratimi nga parlamenti i Kosovës i 80 ligjeve. “Vlerësoj se arritja më e madhe e këtij viti ka qenë nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim me Bashkimin Evropian. Kjo flet për përkushtimin e BE-së për Kosovën dhe për besimin që ka për qeverisjen në Kosovë” tha me këtë rast zoti Mustafa. Ai ndërkohë vlerësoi si sukses vlerësimin e FMN-së se Kosova do të ketë një rritje ekonomike këtë vit rreth 3.8 për qind. “Kjo flet për ndryshimin e trendit të zhvillimit ekonomik, që është një trend në rritje për të ardhmen. Po ashtu, është tregues edhe i besimit që Kosova ka arritur të krijojë tek institucionet financiare ndërkombëtare” tha kryeministri Mustafa. “Ishte një vit që nuk ka qenë shumë i përshtatshëm dhe i këndshëm në aspektin politik, mirëpo unë vlerësoj se si qeveri kemi arritur t’i përmbushim objektivat tona kryesore, të përcaktuara për këtë vit” tha kreu i qeverisë së Kosovës. Zoti Mustafa tha se vitin e ardhshëm prioritetet themelore do të jenë zhvillimi ekonomik, rritja e punësimit dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si parakusht që Kosova të krijojë besim më të madh për ardhje të investimeve të huaja direkte. “Tani po punohet në Planin Nacional të Zhvillimit, në fillim të vitit është aprovuar Programi i Reformave Ekonomike si pjesë e detyrimeve ndaj BE-së” tha kryeministri Mustafa i cili bëri të ditur se buxheti i Kosovës për vitin e ardhshëm do të arrijë 2 miliardë dollarë.