KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë, qeveria miraton ndryshimet në projektligjin e financave publike
kosove

Kosovë, qeveria miraton ndryshimet në projektligjin e financave publike

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, në të cilën ka miratuar një projektligj dhe dokumente të tjera në kuadër të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore. Në hapje të mbledhjes, kryeministri Isa Mustafa duke folur për lirimin nga detyra të ministrit Ferid Agani, tha se “ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Ferid Agani ka kërkuar të lirohet nga posti i ministrit. Në harmoni me qëndrimet që kemi pasur gjatë themelimit të koalicionit qeverisës dhe të përcaktimit tonë të zbatimit të ligjit, e vlerësoj gjestin e ministrit Agani”. Kryeministri Mustafa shtoi se duhet të zbatojmë të gjitha procedurat, të zbatojmë ligjin dhe të mundësojmë që në mënyrë të pavarur institucionet e drejtësisë të kryejnë punën e tyre. Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal është dokumenti i parë i miratuar në mbledhjen e sotme. Ky projektligj ka për qëllim sigurimin e nivelit minimal të shërbimeve komunale në komunat e caktuara, që kanë popullsi më pak se njëzet e dy mijë banorë. Qeveria ka miratuar në parim edhe nismën për lidhjen e Marrëveshjes financiare për IPA 2017 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.